KAJAKU SHPALL KAMPIONËT E PARË
Panda si individ, por dhe Bilali-Hoti e Kurti-Sefdolli në çift janë mbi të tjerët
Dita e dielë në Liqenin Artificial të Tiranës ka qenë krejtësisht ndryshe. Kampionati i parë i kajakut dhe kanoes për femra e meshkuj ka bërë kureshtar dhe qytetarët e kryeqytetit. Pjesëtarë nga Shkodra, Lezha, Durrës, Elbasani, poor dhe Universiteti i Sporteve kanë konkurruar në kanoe njësh, apo tek, si dhe në kanoe çift. Dekani i Fakultetit të veprimtarive fizike dhe rekreacionit në Universitetin e Sporteve, Ferdinand Mara, ka shpjeguar dhe idenë e disiplinës sportive të kanoes, e cila është e kurrikulës mësimore. “Ky është kampionati i parë i kanoes dhe kajakut, një disiplinë e re sportive me një pjesëmarrje nga Shkodra, Lezha dhe Durrësi, por me një pjesëmarrje të gjerë dhe nga studentët e Fakultetit të veprimtarive lëvizore dhe rekreacionit të Universitetit të Sporteve në Tiranë. Ne e kemi pjesë të kurrikulës mësimore pikërisht kanoen dhe kajakun, kështu që gjithçka do të jetë ok”, thotë Mara. Madje për Marën, këta studentë që diplomohen, gjithnjë duke e pasur pjesë të temës sportin e kajak dhe të kanoes, do të mund ta çojnë përpara për t’u zhvilluar si një sport i ri në vendin tonë. “Sepse si pjesë të temës së diplomës do të duhet të përgatiten dhe për këtë disiplinë sportive, e cila është parapërgatitjes së tyre dhe për guidat turistike. Është fillimi, por shumë shpejt do të eci përpara si disiplinës sportive”. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Kanoes dhe Kajak, Renato Milova, ka treguar dhe ata që e kanë bërë të mundur këtë aktivitet, ndërsa është i bindur se gjithçka do të ketë një zhvillim cilësor. “Normalisht ne kemi bërë dhe veprimtari lokale, por kjo është më e gjerë si aktivitet. Jemi pjesë e Federatës Evropiane dhe Botërore e shumë shpejt presim që të jemi dhe në aktivitetet ndërkombëtare. Sa më parë të na lajmërojnë, aq më shpejt do të marrim pjesë në aktivitetet ndërkombëtare”, ka nënvizuar Milova. Garat janë dhënë me start me pistoletë, ndërsa është konkurruar me kohë në një largësi prej 200 metrash. Nga vendi i parë deri tek i pesti ka pasur medalje, kurse për tre vendet e para në kanoe njësh dhe kanoen dyshe dhe Kupë. Sikurse për të gjithë pjesëmarrësit dhe një certifikatë. Nuk ka munguar në këtë aktivitet dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello. E fituesit zyrtar të kampionatit të parë kombëtar të kanoes dhe kajak janë Klejvi Panda me kohën 46”84 në teke, Elvis Bilali-Kliti Hoti me 58”27 në atë çift meshkuj, si dhe Xhesika Kurti-Kleanthi Sefdolli me 1’21”06 në atë çift femra.