Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mirëpriti në një vizitë 3 ditore përfaqësuesit e Federatës Europiane të Kanoes ( ECA) me ftesë të KOKSH, në kuadër të zhvillimit të sportit të Kanoes në vendin tonë dhe implementimit të programeve sportive dhe praktikave më të mira të promovimit të këtij sporti. Në takimin e zhvilluar në ambientet e KOKSH në Tiranë me Presidentin Viron Bezhani dhe Sekretarin e Përgjithshëm Stavri Bello, Presidenti i ECA z. Albert Woods, Sekretari I Përgjithshëm i ECA z. Branko Lovric si dhe anëtari i bordit të ECA z.Andrej Jelenc, të shoqëruar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Kanoes z. Sokol Topciu, diskutuan një plan të mirëfilltë zhvillimi, duke përfshirë organizimin e veprimtarive të Kanoes në Liqenin e Tiranës duke i hapur rrugë mundësisë për të zhvilluar edhe aktivitete ndërkombtare të Kanoes në Shqipëri. Në bashkëpunim me ECA, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të mbështesë Federatën Shqiptare të Kanoes, duke zhvilluar Kursin Ndërkombëtar të Trajnimit për Trajnerë ndërsa ECA dhe do të mundësojë mbështetje me bazë materiale. Përvec takimit në zyra, përfaqësuesit e ECA inspektuan ambientet për tu njohur më konkretisht me kushtet e zhvillimit të sportit të Kanoes në vendin tonë. Duke ndjekur aktivitetin demostrues të ekipit shqiptar të Kanoes, ata vizituan Liqenin Artificial të Tiranës dhe atë të Farkës, të konsideruara si vende optimale për të zhvilluar aktivitete sportive. Ndërsa vizita e tyre vijoi me tej me takimin me Kryetarin e Bashkise Pogradec, për ta shtrirë planin e tyrë të zhvillimit të këtij sporti në të gjithë Shqipërinë.